Hapet për herë të parë Çerdhja Publike në Bashkinë Has

Hapet për herë të parë Çerdhja Publike në Bashkinë Has!

Bashkia Has ka kënaqësinë të njoftojë hapjen për herë të parë nesër me datë 01.10.2026 të Çerdhes Publike në Has, një shërbim i ri dhe i rëndësishëm në mbështetje të familjeve të komunitetit tonë.
Çerdhja vjen si një hap konkret për krijimin e një mjedisi të sigurt, të ngrohtë dhe të përshtatshëm për fëmijët, duke u ofruar prindërve më shumë mbështetje në përditshmërinë e tyre.
Për informacion mbi kriteret, dokumentacionin dhe procedurën e regjistrimit, prindërit mund të drejtohen pranë Bashkisë Has.
Një derë e re hapet për vogëlushët e Hasit, një mundësi më shumë për familjet tona!
Bashkia Has
Për një komunitet më të mirë dhe më pranë familjeve

 

Kryetari i Bashkisë Has, z. Miftar Dauti, mirëpriti në një vizitë zyrtare, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Nick Abbott.

Kryetari i Bashkisë Has, z. Miftar Dauti, mirëpriti në një vizitë zyrtare mikun e Hasit, Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Nick Abbott.
Gjatë takimit, Kryetari i Bashkisë prezantoi resurset dhe potencialet që ofron Hasi për zhvillim në fusha të ndryshme, duke vënë theksin edhe tek roli i rëndësishëm që Diaspora Hasjane mund të luajë në zhvillimin ekonomik, social dhe promovimin e vendlindjes.
Në këtë frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, z. Miftar Dauti shprehu gatishmërinë e Bashkisë Has për të qenë gjithmonë bashkëpunuese dhe mirënjohëse ndaj çdo mbështetjeje dhe partneriteti në të mirë të komunitetit.
Njëkohësisht, Kryetari i Bashkisë theksoi rëndësinë që Hasi të jetë në vëmendjen e partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë, si një zonë me vlera, potencial dhe perspektivë zhvillimi.

Takimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile, në kuadër të marrjes së masave dhe koordinimit të strukturave përgjegjëse për përballimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror.

Sot, më datë 07.05.2026, Kryetari i Bashkisë Has z. Miftar Dauti zhvilloi takimin e Komisionit të Mbrojtjes Civile, në kuadër të marrjes së masave dhe koordinimit të strukturave përgjegjëse për përballimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror.
Drejtoresha e Mbrojtjes Civile, znj. Arbërie Rada, evidentoi pikat kyçe të planit të masave dhe rëndësinë e zbatimit të tyre, të cilat lidhen me:
1.Rritjen e gatishmërisë së strukturave përgjegjëse gjatë sezonit veror.
2.Parandalimin dhe menaxhimin në kohë të zjarreve.
3.Koordinimin ndërinstitucional në rast emergjencash civile.
4.Informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për masat parandaluese.
5.Monitorimin e zonave me risk të shtuar.
6.Garantimin e sigurisë së jetës, pronës dhe mjedisit.
Gjatë mbledhjes u zhvilluan diskutime mbi sfidat dhe masat konkrete që duhen ndërmarrë për përballimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror. Pjesëmarrësit ngritën pyetje dhe dhanë sugjerime lidhur me koordinimin ndërmjet institucioneve, gatishmërinë e strukturave në terren, si dhe mënyrat për rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve dhe emergjencave të tjera civile.

 

 

🏆 Bashkia Has vlerësohet në vendin e III për iniciativa me ndikim në mbështetje të migrantëve dhe diasporës.

🏆 Bashkia Has vlerësohet në vendin e III për iniciativa me ndikim në mbështetje të migrantëve dhe diasporës.

Bashkia Has është vlerësuar për iniciativat e saj me ndikim pozitiv, të cilat kontribuojnë në mbështetjen e migrantëve, angazhimin e diasporës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, riintegrimit dhe përfshirjes sociale në komunitet.
Ky vlerësim vjen në kuadër të konkursit “Nismat me ndikim pozitiv në komunitet”, i cili, me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe në bashkëpunim me IOM, shërbeu si një platformë për të 61 bashkitë e vendit për të nxjerrë në pah fuqinë e partneritetit dhe shkëmbimit të përvojave.
Përmes këtij angazhimi, Bashkia Has rikonfirmon përkushtimin e saj për të ofruar zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme në nivel vendor, duke fuqizuar rolin e diasporës dhe duke mbështetur qytetarët në çdo fazë të integrimit dhe zhvillimit.
👏 Ky vlerësim është një motivim për të vijuar me përkushtim punën në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.