Bashkia Has shtrihet në verilindje të Shqipërisë dhe është pjesë e qarkut Kukës. Ajo kufizohet në jug me Bashkinë Kukës dhe në perëndim me Bashkinë Fushë-Arrëz, me të cilat e ndan liqeni i Fierzës në një gjatësi prej rreth 40 km. Në veri-perëndim kufizohet me Bashkinë Tropojë, me të cilën e ndan përroi i Skatinës. Në veri-lindje kufizohet me Komunat e Gjakovës dhe Prizrenit. Në përbërje të bashkisë ka 4 njësi administrative, 1 qytet dhe 29 fshatra. Sipas Censusit (2011), Bashkia Has ka një popullsi prej 16 790 banorësh me dendësi 35.49 banorë për km², ndërkohë sipas gjendjes civile ka 21 764 banorë. Qendra e bashkisë është Kruma, e shpallur qytet në 1972. Përgjatë viteve 1921-1925, ajo ka qenë qendra e Prefekturës së Kosovës që përfshinte Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Emërtimi Has vjen nga emërtimi i kahershëm i trevës, gjysma e së cilës shtrihet në Kosovë. Bashkia ka reliev kodrinoro-malor, me lartësi mesatare 400-500 m mbi nivelin e detit dhe me kontraste të mëdha. Lartësia më e ulët mbi nivelin e detit është 296 m në bregun e liqenit të Fierzës, ndërkohë lartësia më e madhe është 1988 m në malin e Pashtrikut. Pyjet dhe kullotat zënë rreth 83.5 % të sipërfaqes dhe shtrihen në lartësitë mbi 1000-1200 m. Ato gjenden në bjeshkët e Krumës, Vranishtit, Gjinajve, Dajçit, Mujajve, Cahanit dhe Kishajve dhe përbëjnë një burim të qendrueshëm për zhvillimin e blegtorisë dhe turizmit malor. Klima ka tiparet e klimës kontinentale, me verë të nxehtë e të thatë dhe me dimër të ftohtë e me reshje. Sasia mesatare vjetore e reshjeve lëkundet nga 900-1000 mm në vit, ku rreth 80% e tyre bie në periudhën tetor-mars. Temperatura mesatare vjetore është 11.4 °C. Toka bujqësore zë 16.5% të sipërfaqes, nga ku vetëm 29.7% ka aktualisht aftësi vaditëse. Një pjesë e konsiderueshme e tokës bujqësore ka pësuar degradim nga mospërdorimi dhe erozioni. Toka bujqësore shfrytëzohet dhe ka prodhimtari të mirë në frutikulturë, vreshtari, bimë arash (misër, grurë), perime dhe foragjere. Toka më pjellore është Plani i Krumës që rrethohet nga kodra të buta dhe të ulëta të cilat vazhdojnë deri në brigjet e liqenit të Fierzës.

AlbaniaUSA